JOQ Albania
Home

Iu vra dhëndri në atentat, vjehrri i Astrit Bilalit: U shua një familje, të gjenden autorët!
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 31/03/2019 14:31

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në zonën e Zooteknikës, në lagjes Kiras në qytetin e Shkodrës. Viktima të këtij atentati me breshëri kallashnikovi kanë mbetur dy vëllezërit Astrit Bilali 65 vjeç dhe Ibrahim Bilali, 55 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ku mësohet se vëllezërit u takuan në portën e banesës dhe sapo u bashkuan, dy persona kanë qëlluar me breshëri automatiku, duke i lënë të vdekur në vend.

Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, ish-boksierit shkodran, një prej personave në listën e implikuarve të grupit “Bajri”.  29-vjeçari është person me precedentë të mëparshëm, pasi cilësohej si i dyshuari kryesor për plagosjen e 20-vjeçarit Hermes Beqiri në një nga lokalet e Shkodrës, ngjarje e ndodhur në vitin 2017.

E ndërsa sot vjehrri i Astrit Bilalit ka kërkuar nga shteti që të zbardhë ngjarjen, pasi është shuar një familje e tërë.

Fahri Vejuka, i cili është edhe gjyshi i ish-boksierit të Vllaznisë Asmer Bilali, bëri një apel për institucionet që të gjejnë sa më shpejt vrasësit, ndërsa pati një lutje që nipi i tij të rrijë të paktën dy ditë në shtëpi, për të pritur vizitat.

Deklarata e Fahri Vejukës:

Shpresojmë që shteti të gjejë autorët e vrasjes, sepse është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Pothuajse është shuar një familje, pas kësaj ngjarjeje dhe institucionet do të bëjnë detyrën e tyre për çfarë ka ndodhur. Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit dhe është në burg prej disa muajsh. Ai do të jetë vetëm në varrim, por ne kërkojmë që të lihet të paktën dy ditë tek banesa e tij, për të pritur njerëzit, sepse nuk ka askënd.
Vëllai i tij 23 vjeç është shumë i sëmurë dhe nuk është askush tjetër. Shpresojmë që institucionet të vendosin dorën në zemër dhe të na mirëkuptojnë në kërkesën tonë. I falënderojmë që e kanë lejuar të jetë në varrim, por kërkojmë të qëndrojë pak më gjatë, të paktën dy ditë dhe normalisht me prezencën e policisë. Për të tjerat, shteti të bëjë detyrën dhe nëse ka bërë diçka, mund të dënohet, por sot i kërkojmë ta lejojnë të paktën dy ditë që të qëndrojë, sepse do dalin dy kufoma nga shtëpia jonë.”