JOQ Albania
Home

Ministrja e Kulturës i vihet kundër shefit: Teatri duhet të restaurohet
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 31/03/2019 13:47

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kastriot Çipi është një nga aktivistët kryesorë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Regjisori ka komentuar intervistën e ministres së Kulturës Elva Margariti për çështjen e teatrit.

Sipas tij propozimi i ministres është në favor të restaurimit konservativ dhe jo të prishjes.

Në reagimi e tij Çipi thotë se Margariti, e cila është diplomuar për arkitekturë në Firence, mendon ndryshe nga injorantët Rama dhe Veliaj.

Për Çipin, ministrja anon nga rikonstruktimi me të njëjtat materiale, që Veliaj i quan "asbest" dhe "tallash".

Në fund Çipi e mbyll duke thënë se duhet parë nëse ministrja do t’i qëndrojë fjalës.

Reagimi i plotë i Çipit:

ELVA MARGARITI, MINISTRE E KULTURËS, KUNDËR RAMËS E VELIAJT PËR TEATRIN KOMBËTAR ARKITEKTJA E DIPLOMUAR NË FIRENCE DHE E SPECIALIZUAR PËR RESTAURIMIN DHE RIJETËZIMIN E OBJEKTEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE MENDON KREJT NDRYSHE NGA INJORANTËT RAMA E VELIAJ Në një intervistë të dhënë dje për Report TV, zonja Margariti kërkon hapjen e një polemike publike për të vendosur nëse Teatri Kombëtar duhet t’i nënshtrohet një restaurimi të vëllimeve, me materiale të reja (falso storico – falsifikim historik) apo me të njëjtat materiale (restaurim konservativ). Pavarësisht se kërkon hapjen e një debati specialistësh me këtë temë, duket se vetë zonja Margariti anon nga restaurimi konservativ, pra rikthimi në gjendjen e mëparshme të Teatrit Kombëtar, duke përdorur të njëjtat materiale, pra, pikërisht atë populitin e famshëm, që aq shumë e ka stigmatizuar i injoranti Veliaj, duke e quajtur herë “tallash” e herë “asbest”. Madje zonja Margariti shkon edhe më tej, duke e quajtur pikërisht materialin e përdorur një “vlerë të shtuar të objektit”, thënë ndryshe, një arsye pse duhet ruajtur ndërtesa dhe duhet restauruar në mënyrë konservative, me të njëjtin material. Së treti, qysh në hyrje të këtij prononcimi, zonja Margariti thotë se “Nuk është një problem thjesht arkitekture, sepse të flasësh vetëm për arkitekturën e teatrit, do të thotë ta minimizosh shumë”.Me fjalë të tjera, si specialiste e trashëgimisë, e diplomuar në Firence, ajo vlerëson se Teatri Kombëtar ka vlera përtej arkitekturës. Ja pra, që specialistët, për të cilët Veliaj dhe Rama thonë se janë kundër restaurimit të Teatrit Kombëtar, paskan mendim ndryshe nga ata, madje edhe kur janë në poste të rëndësishme politike. Mbetet për t’u parë në vijim, nëse zonja Margariti do t’i qëndrojë besnike formimit të saj profesional dhe qytetar apo do ta “dredhë” si ca të tjerë dhe nëse Rama do të vazhdojë ta mbajë në Qeveri, apo do të gjejë rastin për ta liruar nga detyra.