JOQ Albania
Home

E përshëndeti para se ta qëllonte për vdekje avokatin Gurra, dyshohet për vrasës me pagesë
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 24/03/2019 17:40

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kanë kaluar disa ditë nga vrasja e avokatit Ravik Gurra në një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. Ai ishte ulur duke pirë kafe më një koleg të tij, përfaqësues të Avokatit të Popullit kur është qëlluar me dy plumba në kokë.

Me profesion avokat prej 10 vitesh, dyshohet se motivacioni i ekzekutimit të Gurrës ka qenë për shkak  të detyrës. Ai ka qenë avokat i Emiljano Shullazit dhe fisit Çapja, i disa prej dosjeve më të bujshme të personazheve kriminalë.

Ende nuk ka një autor të dyshuar mbi ngjarjen mafioze. Gurra ka qenë duke konsumuar kafe me kolegun e tij, por nuk priste se atë natë do të bëhej shënjestër e një atentati.

Autori i maskuar me kapele në kokë me qëllim fshehjen e fytyrës, ka përdorur një pistoletë me silenciator. Ai i është drejtuar tavolinës ku qëndronte “objektivi”, i është afruar me qetësi dhe për të mos ngjallur dyshime e ka përshëndetur me dorë para se ta ekzekutonte.

Kamerat e sigurisë kanë mundur të fiksojnë momentin e ekzekutimit, por nuk është bërë ende i mundur identifikimi i autorit të ngjarjes.

Dëshmitarët nuk kanë mundur të identifikojnë autorin, pasi ai është larguar në këmbë me shpejtësi pas vrasjes dhe më pas është pritur nga një automjet tip “Benz” jo shumë larg vendit të ngjarjes, i cili më pas është gjetur i djegur në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rreth rrotullimit të Bradasheshit për të zhdukur çdo gjurmë.

Grupi hetimor nuk ka ende një autor të dyshuar që shkrepi dy plumba në drejtim të 50-vjeçarit nga një pistoletë më silenciator. Identifikimi i tij është mjaft i vështire për shkak se atentatori ka qenë i maskuar dhe në vendin e krimit nuk ka lënë asnjë provë.
Më pas ai u largua me shpejtësi ku pak metra më tutje e priste një tjetër person me makinë. Oficerët vëzhguan disa kamera sigurie ku kaloi mjeti, por nuk u përfitua asnjë element i vlefshëm, pasi kanë qenë të dy të maskuar.

Vrasësi sipas hetuesve është me pagesë nga mënyra e realizimit të atentatit. Ekzekutimi i Gurrës sipas grupit hetimor ka lidhje direkte me detyrën e tij si avokat. Prej vitesh ai ka qenë mbrojtës në disa çështje mjaft të njohura si procesi që u zhvillua në Gjykatën e Lartë për “Hakmarrjen për Drejtësi”, avokat i Emiljano Shullazit, apo edhe fisit Çapja në Elbasan.

Pikërisht në aktivitetin profesional të 50-vjeçarit është fokusuar puna hetimore dhe kryesisht te përplasjet mes grupeve kriminale ne Elbasan.