JOQ Albania
Home

Bilanci i frikshëm/ Në Shqipëri janë vrarë 8 gra në tre muaj
Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 23/03/2019 15:57

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

32-vjeçarja Gurie Hysa u vra nga bashkëshorti i saj gjatë ditës së sotme në qytetin e Gramshit. Bashkëshorti i saj, 35-vjeçari Alvin Hysa e mbyti me duart e veta.

Krimi në familje mbetet ende një plagë e shoqërisë sonë, me viktimën e sotme numri i grave që janë vrarë nga bashkëshortët apo familjarët e tyre shkon në tetë.

Prej janarit të 2019 deri tani kanë përfituar urdhër të menjëhershëm mbrojtje 428 gra. Ndërsa në vitin që lamë pas, 3690 gra dhe vajza kanë rënë pre e dhunës.

Tetë gra kanë humbur jetën mizorisht në vendin tonë. Viti 2019 nisi tragjikisht, pasi që në datën 2 janar qyteti i Ballshit u trondit.

34-vjeçar Gazment Musta, me dy janar la të vdekur  bashkëshorten e tij dhe kunatën 18-vjeçare pas një sherri banal.

Gentjana Musta dhe Merisa Çaushi u ekzekutuan nga 34-vjeçari që ishte në gjendje të dehur, pasi bashkëshortja i kishte kërkuar atij të shkonte tek prindërit e saj me rastin e Vitit të Ri dhe ai kishte refuzuar.

Nuk kaluan shumë ditë dhe me 14 janar në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë,  Majlind Lala vrau me armë vjehrrën dhe vjehrrin e tij po pas një sherri banal dhe më pas i dha fund jetës.

Ai vrau Bujar Matën , 63 vjeç dhe gruaja e tij Valentina Matën, 52-vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në lagjen “Kristaq Mone”.

Vajza e tyre ndodhej në Suedi, aty mori dhe lajmin se burri i saj  kishte vrarë nënën e saj dhe babanë.

Por Gurie Hysa nuk është e vetmja grua bashkëshorti i ka marrë jetën duke e mbytur, pasi 42-vjeçarja Eva Lera u mbyt deri në vdekje nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Teodor Lera në qytetin e Vlorës më 6 shkurt.

Tiranë më pas do të tronditej sërish, pasi me 12 shkurt, Alket Arapaj punonjës prej 21 vitesh i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare.

Pas dy ditësh më 14 shkurt  Lirie Xhepa u gjet e masakruar në liqenin e Sharrës. Policia tha se ajo ishte viktimë e kunatit të saj, Dashamir Xhepa, i cili e vrau duke e qëlluar mizorisht me tre plumba në trup.

Më katër mars djali vrau nënën e tij. 80-vjeçarja Nazime Demollari, mbeti viktimë nga djali i saj, Nazim Demollari. I biri 50-vjeçar e mbyti gruan që e kishte sjellë në jetë pas një sherri.

Këto krime mund të ishin parandaluar, por emrat e këtyre grave janë statistika si viktimave të dhunës së burrave. Dhuna dhe krimi në familje është plagë e madhe dhe të gjitha këto vrasje janë një kambanë alarmi se duhet bërë ende shumë.

Për fat të keq jetojmë në një shoqëri, ku vajzat dhe gratë shikohen si një pronë dhe meshkujt nuk ngurrojnë t’u marrin jetën dhe kjo sikur të ishte një gjë krejt normale.

Vendi ynë renditet si vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë. Të dhënat që u publikuan nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC) ishin alarmante, institucioneve shqiptare u kërkohej mbrojtje për vajzat dhe asgjë nuk u bë, rezultati 9 gra të vrara barbarisht në gati tre muaj.